Historiku i shkollës

Në vitin 1997 në Pejë, mori fillet e veta një storie e suksesit në edukim. Dhe kjo, jo rastësisht, por si nismë e një familje me përvojë në fushën e edukimit. Fillimisht me kursin e gjuhëve të huaja, për të vazhduar pastaj edhe me Institucionin e Arsimit Parafillor, Fillor dhe të Mesëm, në vitin 2006. Filluam me 30 nxënës dhe sot kemi rreth 300, e shumë shpejtë do të jemi edhe më shumë.

Pasioni për të ndërtuar një institucion edukativo-arsimor ishte i madh, mirëpo edhe sfidat nuk ishin të vogla. Me punë të pa lodhshme, me kalimin e viteve, shkolla vetëm sa po rritej. Kjo rritje, i atribuohet përkushtimit, investimit dhe ngritjes së profesionalizmit në këtë institucion, në vazhdimësi.

              

               

Me nxënësit në qendër të zhvillimit, që nga dita e parë, kjo histori vazhdon edhe sot, të ndërtoj shumë ngjarje suksesi, arritje të jashtëzakonshme dhe të ardhme të ndritur, për dhe me nxënësit e shkollës sonë. Angazhimi i secilit që ishte dhe është pjesë e stafit të shkollës, bëri të munduar avancimin dhe rritjen e shkollës.

Në këtë mes, nuk harrohet asesi bashkëpunimi dhe kontributi i prindërve, pa të cilit nuk plotësohet cikli i suksesit. Marrëdhënia me prindërit ka qenë e shkëlqyeshme dhe në dobi të nxënies së dijes dhe edukimit të duhur të fëmijëve. Shkolla KCG është një familje e madhe, që mban në vete shumë familje të Qytetit të Pejës, Gjakovës, Deçanit, Istogut dhe gjithë Rrafshit të Dukagjinit. Vlerë e shtuar e komunitetit tonë, ndër vite, kanë qenë edhe shumë nxënës ndërkombëtar, të cilët kemi arritur me sukses ti integrojmë në sistemin tonë arsimor dhe shoqërinë kosovare.

Infrastruktura e Shkollës KCG u zhvillua ndër vite. Me rritjen e numrit të nxënësve u bë e detyrueshme edhe rritja e ambienteve mësimore, avancimi i laboratorëve shkencorë, kabinetit të informatikës, ateliesë së artit, sallës sportive, bibliotekës, sallës së ushqimit, qendrës së të mësuarit aktiv dhe karrierës. Pajisjet mësimore, tabelat interkative, vizitat jashtë ambienteve të shkollës, mysafirët në shkollë, ambulanca e shkollës dhe shumë zhvillime pasuan përgjatë zhvillimit dhe rritjes së shkollës.  Suksesi i dëshmuar, i nxënësve të shkollës tonë, rritej në vazhdimësi. Rezultatet në testin e arritshmërisë dhe atë të maturës ishin mbresëlënëse. Pothuajse për çdo vit zëmë vendin e parë në Komunën e Pejës. Kjo dëshmohet edhe me vijim e studimeve në Universitet me renome në gjithë botën nga nxënësit e shkollës tonë.

Gjeneratat e shumta, krijuan dhe nxorën shumë talente, jo vetëm në mësim nxënie, por edhe në art, kulturë dhe sport. Rezultatet fiti mtare në garat shkencore në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tashmë ishin bërë të zakonshme, prandaj përkushtimi ishte të sfidojmë veten edhe jashtë vendit. Morëm pjesë në ngjarje, vizita dhe programe të ndryshme në arenën ndërkombëtare.

Disa nga talentët e shkollës tonë, duke mos mundur ti përfshijmë të gjithë janë, Arta Vokshi një krijuese kjo që talenti i saj u zbulua në shkollën tonë, autore e tri përmbledhjeve poetike, ku në takimet letrare “Takimet poetike” tradicionale për poetin e madh Azem Shkreli, Arta jonë zë një vend të merituar me punimet dhe interpretimet e saj, njëherit pranohet si anëtarja më e re e “Shoqatës së shkrimtarëve pejanë”; po ashtu.

Albërije Draga një nxënëse tejet e talentuar në fushën e artit poetik, autore e dy përmbledhjeve poetike në takimet letrare “Flaka e Janarit” zë vendin e parë për interpretimin më te bukur poetik. Edhe Albëria bëhet pjesë e “Shoqatës se shkrimtarëve Pejan”. Në kuadër të kësaj vatre dolën edhe dhjetëra penda të talentuara siç janë: Agnesa Broqi autore e dy veprave poetike, Elvira Kabashi, Mirlinda Rustemaj, Jona Devolli, Brikena Bardhi etj.  Një aktivitet tjetër që ishte mbresëlënës i nxënësve të shkollës është edhe shfaqja e komedisë “14 vjeç dhëndër” me rastin e përurimit të sallës së sportit, ku për talentin e tyre u dalluan: Arta Vokshi, Altin Dreshaj, Besat Shala, Evira Kabashi, Albulena.

Gjatë këtij viti shkollor u organizua aktiviteti kulturoro-artistik “Arti rinor” në kuadër të Komunës së Pejës, ku nga shkolla jonë dy nxënës ishin finalist, në fushën e artit muzikorë ishte finalist Albin Kelmendi si dhe finalisti tjetër në fushën e artit letrarë Dabnis Sadiku i cili fitoi çmimin e dytë të jurisë. Edhe në fushën e sportit dhe edukatës fizike kemi shumë talentë: Eron Burri është njëri ndër ta që në sportin e skijimit është kampion i shumëfishtë i Kosovës si dhe pjesëmarrës në shumë gara të mbajtura në mbarë Evropën.

Zhvillimet e kohës, prekën edhe shkollën tonë. Së bashku kemi ndërtuar kabinetin e avancuar të informatikës, ku mbajmë orë të kodimit dhe robotikës. Laboratoret shkencore nga Gjermania, më të avancuarat jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Qendra e të mësuarit aktiv dhe orientimit në karrierë një koncept i ri në shkollat kosovare, me pajisje të teknologjisë më të avancuar. Pjesëmarrja e nxënësve në Programe në Londër të Britanisë së Madhe, pastaj vlen të përmendet suksesi i nxënësve të Shkollës KCG në gjuhën angleze. Garat logjike, vizitat studimore në Shqipëri. Ekskursionet e rregullta, në bregdet dhe skijim, janë disa nga shumë aktivitetet që ndodhin gjatë një viti shkollor.

Të mësuarit në shkollën KCG bazohet në interaktivitet, rritje të vetëbesimit tek nxënësit, zhvillim të mendimit kritik, përgjegjësinë sociale dhe ndaj komunitetit, pavarësinë dhe punën grupore. Ambienti i ngrohtë, i sigurtë, ndërtuar me pasion dhe mbushur me dashuri, krijon ndjenjën e një familje të madhe për të gjithë anëtarët e Shkollës KCG, duke filluar nga Menaxhmenti, Administrata, Mësimdhënësit, Prindërit, Nxënësit, duke mos harruar Mjekun, Psikologun dhe Stafin mirëmbajtës.

Përmes numrit të kufizuar dhe respektimit të hapësirës së nevojshme për secilin nxënës, na mundëson të trajtojmë dhe ta çmojmë, veç e veç, secilin nga nxënësit tanë të artë. Trajtim i barabartë për të gjithë.

Ambientet e shkollës janë të sigurta, me të gjitha parametrat e sigurisë, të shëndetshme dhe të përshtatshme për aktivitetin e të mësuarit. Të gjithë nxënësit janë të pajisur me uniformën identifikuese të shkollës. Gjithashtu, shkolla siguron transportin për të gjithë nxënësit.

               

                

                

Copyright © 2020 Shkolla KCG. All Rights Reserved